Albanian Bible

Numrat 17

Numrat

Return to Index

Chapter 18

1

  Pastaj Zoti i tha Aaronit: "Ti, bijtë e tu, dhe shtëpia e atit tënd bashkë me ty, do të mbani barrën e paudhësive të kryera kundër shenjtërores, dhe ti e bijtë e tu do të mbani barrën e paudhësive të kryera gjatë ushtrimit të priftërisë suaj. 


2

  Do të afrosh gjithashtu vëllezërit e tu, fisin e Levit, fisin e atit tënd, me qëllim që të bashkohen me ty dhe të të shërbejnë, kur ti dhe bijtë e tu do të jeni para çadrës së dëshmisë. 


3

  Ata do të të shërbejnë ty dhe do të kryejnë tërë detyrat e çadrës; por nuk do t`u afrohen orendive të shenjtërores dhe altarit, përndryshe do të vdisni së bashku, ti dhe ata. 


4

  Ata do të bashkohen me ty dhe do të kryejnë të gjitha detyrat e çadrës së mbledhjes që lidhen me punën në çadër, por asnjë i huaj nuk do t`ju afrohet juve. 


5

  Ju do të kryeni, pra, shërbimin e shenjtërores dhe të altarit, që të mos ketë më zemërim kundër bijve të Izraelit. 


6

  Ja, unë vetë mora vëllezërit tuaj, Levitët, nga mesi i bijve të Izraelit; ata ju janë dhënë dhuratë nga Zoti për të kryer shërbimet e çadrës së mbledhjes. 


7

  Por ti dhe bijtë e tu do të ushtroni priftërinë tuaj për të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me altarin dhe që ndodhen matanë velit; dhe do të kryeni shërbimin tuaj. Unë ju jap priftërinë tuaj si një dhuratë për shërbimin, por i huaji që do të afrohet do të vritet". 


8

  Zoti i foli akoma Aaronit, duke i thënë: "Ja, unë të besoj kujdesin e ofertave të mia të larta, të të gjitha gjërave të shenjtëruara të bijve të Izraelit; t`i jap ty dhe bijve të tu si një statut të përjetshëm për shkak të vajosjes suaj. 


9

  Kjo do të të takojë nga gjërat shumë të shenjta të pakonsumuara në zjarr: të gjitha ofertat e tyre, domethënë çdo blatim ushqimor, çdo flijim për mëkatin dhe çdo flijim për shkeljen e bërë që do të më paraqesin, janë gjëra shumë të shenjta që të përkasin ty dhe bijve të tu. 


10

  Do t`i hash në vend shumë të shenjtë; do t`i hajë çdo mashkull; do të jenë për ty gjëra të shenjta. 


11

  Do të të përkasin ty edhe këto: dhuratat që bijtë e Izraelit do të paraqesin për ngritje dhe të gjitha ofertat e tyre të tundura; unë t`i jap ty, bijve të tu dhe bijave të tua, si një statut i përjetshëm. Kushdo që është i pastër në shtëpinë tënde mund t`i hajë. 


12

  Pjesa më e mirë e vajit, e mushtit dhe e grurit, prodhimet e para që i japin Zotit, unë t`i jap ty. 


13

  Prodhimet e para të të gjitha gjërave që prodhon toka dhe që ata i paraqesin Zotit, do të jenë tuajat. Kushdo që është i pastër në shtëpinë tënde mund t`i hajë. 


14

  Çdo gjë e shenjtëruar në Izrael do të jetë jotja. 


15

  Çdo pjellje e parë e çdo mishi që ata do t`i ofrojnë Zotit, qoftë të njerëzve ashtu dhe të kafshëve, do të jetë jotja; por me siguri do të shpengosh të parëlindurin e njeriut dhe do të shpengosh pjelljen e parë të kafshëve të papastra. 


16

  Dhe ata që duhet të shpengosh, do t`i shpengosh në moshën një muajsh, simbas vlerësimit tënd, për pesë sikla argjendi, simbas siklit të shenjtërores, që është njëzet gere. 


17

  Por nuk do të shpengosh pjelljen e parë të lopës, të deles dhe të dhisë; janë gjëra të shenjta; do të spërkatësh gjakun e tyre mbi altarin dhe do të tymosësh dhjamin e tyre si flijim i bërë me zjarr, me erë të këndshme për Zotin. 


18

  Mishi i tyre do të jetë yti; do të jetë yti si gjoksi i ofertës së tundur ashtu dhe kofsha e djathtë. 


19

  Unë të jap ty, bijve dhe bijave të tua bashkë me ty, si statut të përjetshëm, të gjitha ofertat e larta të gjërave të shenjta që bijtë e Izraelit i paraqesin Zotit. Éshtë një besëlidhje e kripës dhe e përjetshme përpara Zotit, për ty dhe për pasardhësit e tu". 


20

  Zoti i tha akoma Aaronit: "Ti nuk do të kesh asnjë trashëgimi në vendin e tyre dhe nuk do të kesh pjesë në mes tyre; unë jam pjesa jote dhe trashëgimia jote në mes të bijve të Izraelit. 


21

  Ja, bijve të Levit unë u lë si trashëgim të gjitha të dhjetat në Izrael në këmbim të shërbimit që kryejnë, shërbimin e çadrës së mbledhjes. 


22

  Dhe bijtë e Izraelit nuk do t`i afrohen më çadrës së mbledhjes, përndryshe do të ngarkoheshin me një mëkat dhe do të vdisnin. 


23

  Shërbimin në çadrën e mbledhjes do ta bëjnë vetëm Levitët; dhe këta do të mbajnë barrën e paudhësive të tyre; do të jetë një statut i përjetshëm për gjithë brezat tuaj; dhe nuk do të kenë asnjë trashëgimi midis bijve të Izraelit; 


24

  sepse unë u jap si trashëgimi Levitëve të dhjetat që bijtë e Izraelit do t`i paraqesin Zotit si një ofertë të lartë; prandaj u thashë atyre: "Nuk do të kenë asnjë trashëgimi midis bijve të Izraelit"". 


25

  Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: 


26

  "Folu Levitëve dhe u thuaj atyre: Kur do të merrni nga bijtë e Izraelit të dhjetat që unë ju jap nga ana e tyre si trashëgiminë tuaj, do t`i bëni një ofertë të lartë Zotit, një të dhjetën e së dhjetës; 


27

  dhe oferta juaj e lartë do t`ju llogaritet si gruri që vjen nga lëmi dhe si bollëku i mushtit të butit. 


28

  Kështu edhe ju do t`i bëni një ofertë të lartë Zotit nga të gjitha të dhjetat që do të merrni nga bijtë e Izraelit, dhe nga ato do të jepni ofertën e lartë të Zotit priftit Aaron. 


29

  Nga të gjitha gjërat që ju kanë dhuruar, do t`i ofroni ofertën e lartë Zotit, nga pjesa më e mirë, pjesën e shenjtëruar. 


30

  Prandaj do t`u thuash atyre: "Kur të keni ofruar më të mirën, ajo që mbetet do t`u llogaritet Levitëve si prodhim i lëmit dhe si prodhim i mushtit të butit. 


31

  Mund ta hani në çfarëdo vend, ju dhe familja juaj, sepse është shpërblimi juaj për shërbimin tuaj në çadrën e mbledhjes. 


32

  Kështu nuk do të jeni fajtorë të asnjë mëkati, sepse keni ofruar gjërat më të mira; por nuk do të përdhosni gjërat e shenjta të bijve të Izraelit, përndryshe do të vdisni"". 


Numrat 19

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: